|
Imam Ebu Jusufi Emri i plotë i Imam Ebu Jusufit është Jakub ibën Ibrahim ibën Habib ibën Hunejs ibën Sa’d ibën Buhajr ibën Muavieh El-Ensarij. Sa’d ibën Buhajr, në betejën e Uhudit kërkon nga Pejgamberi a.s. të luftojë me të, por ai nuk ia lejoi ngase ishte ende i ri. Ky është Sa’di ibën Habitete që mori pjesë në luftën e Hendekut dhe në luftimet mbas saj. Habiteja është bija e Havates bisë së Buhajr Ensariut. Pra gjeneza e Sa’dit lidhet me Buxhejlen mirëpo janë bashkuar me Ensarët. Nga pasardhësit e Sa’dit është edhe Nu’man ibin Sa’d njëri nga përcjellësit prej Aliut r.a. Vëlla i këtij është Hunejs ibën Sa’d. Ebu Jusufi lindi në vitin 113 në Kufe. Mori mësim nga një grup e Tabiinëve. Dëgjonte ligjëratat e Hisham ibën Urves, Jahja ibën Seidit, Ae’meshit, Jezid ibën Ebi Zijadit, Ata’ ibën Saibit, Ubejdullah ibën Amër Ebi Is’hak Esh-Shejbanit, Haxhxhaxh ibën Ertaëteh dhe nga dijetarë tjerë të kësaj gjenerate. Fikhun e mësoi nga Ebu Hanifja, mësuesi më i dalluar i tij.
Tek Imam Ebu Jusufi mësuan fikhun shumë dijetarë. Prej tij përcjellin një sërë dijetarësh si: Bishr ibën El-Velid, Ibën Simaah, Jahja ibën Mein, Ali ibën Xha’d, Ahmed ibën Hanbel, Amru’n-Nakid, Ahmed ibën Muni’a, Ali ibën Muslim Et-Tusi, Hasan ibën Ebu Malik, Hilalu Re’ji, Ibrahim ibën Xherrah, Muali ibën Mensur Er-Razi, Esed ibën El-Furat, Amër ibën Ebi Amër El-Harani etj. Nga nxënësit dhe shoqëruesit e tij më të dalluar janë: Muhammed ibën Hasan Esh-Shejbani. Imam Ebu Jusufi do të bëhet Kadi i Bagdatit në kohën e Musa El-Hadit dhe do të vazhdojë në këtë pozitë pas tij në kohën e Harun Reshidit. Për këtë ai bëhet i famshëm dhe është i pari që është thirrur me titullin Kadi’l-Kudat. Tregon Mukerrem Kadiu nga Abdusamed ibën Abdullahi i cili tregonte nga Ali ibën Harmele Et-Temimi se Ebu Jusufi pat treguar si ka filluar mësimet në hadith dhe fikh, por ka qenë i varfër dhe se një ditë i vjen i ati derisa ky ishte me Ebu Hanifen dhe i thotë: “O, biri im, mos rri me Ebu Henifen, ai ka mjaft për të ngrënë, ndërsa ti ke nevojë për një kafshatë buke”. -Dëgjova fjalët e im ati,-tregon Ebu Jusufi, dhe për një kohë mungova nga ligjëratat e Ebu Hanifes. Kur u ktheva së dyti tek Ebu Hanifja, më dha njëqind dirhem dhe më tha: “Mos mungo nga hallka e mësimeve. Kur të harxhohen këto të holla ma bën me dije“. Pas një kohe të shkurtër më dha dhe njëqind dirhem tjerë dhe kështu vazhdova të ndjek mësimet tek ai. Thuhet se ishte e ëma ajo që i lypi Ebu Jusufit të largohet nga mësimet tek Ebu Hanifja, ngase i ati i kishte vdekur kur kishte qenë i vogël dhe ajo e kishte dërguar Ebu Jsufin të mësojë zanat te një Kasar. Lëvdimet e imamëve për Ebu Jusufin Esed Ibën Ferati tregon nga Muhammed Esh-Shejbani se kur qe sëmur një herë Ebu Jusufi dhe Imam Ebu Hanifja shkon ta vizitojë dhe pasi del nga ai thotë: “Po vdiq ky i ri, dijeni se është më i dishmi në këtë faqe të dheut“. Abbas Deuri tregon se Ahmed ibën Hanbeli u ka treguar: “Kur kam filluar të shkruaj hadithin në fillimin tim, shkoja tek Ebu Jusufi dhe shënoja hadithet e tij. Më pastaj kam filluar të shkruaj hadithet e njerëzve tjerë. Ai,- vazhdon Ahmed Hanbeli,- anonte më tepër nga ana jonë se sa Ebu Hanifeja dhe Muhammedi”. Po kështu, tregon Ibrahim ibën Ebi Davud El-Berlesi se e ka dëgjuar Jahja Ibën Meinin duke thënë: “Nuk kam parë asnjë prej pasuesve të shkollës së Re’jit më të përpiktë në hadith, më të dijshëm dhe më të saktë se Ebu Jusufi“. Ibën Thelxhiu tregon se e ka dëgjuar Abdullah ibën Davud Hurejbin i cili pat thënë: “Ebu Jusufi, aq shumë e njihte fikhun saqë përshkonte çëhtjet e tij në çdo mënyrë”. Nga jeta e Ebu Jusufit Tahaviu tegon që Kutejbeja e ka dëgjuar Ebu Velid Tajalusin se kur Ebu Jusufi vizitoi Basrën në shoqërimin e Reshidit, u tubuan dijetarët e fikhut dhe ata të hadithit te dera e dhomës së tij dhe secili grup kërkoi të hyjë ta takojë duke patur shpresë secila për vete se atë do ta lejojë të hyjë e para. Ai pranoi takimin me ta, por nuk i dha asnjërës leje të hyjë para tjetrës: “Unë jam nga të dy grupet, nuk i jap njërës përparësi para tjetrës, por, do tua parashtroj të dy grupeve një pyetje, kush e gjen zgjidhjen e saj do të hyjë: “Nëse një njeri e përtyp unazën time derisa e shtyp. Ç’farë të drejte kam unë në këtë rast? Dijetarët e hadithit dhanë disa mendime por asnjëri nga to nuk i pëlqeu atij. Pastaj njëri nga fukahatë tha: “Duhet ta paguajë vlerën e unëzs ashtu në atë gjendje që është dhe e merr argjendin e shtypur. Por nëse i zoti i unazës dëshiron ta mbajë atë ashtu si është, ai që e shtyp atë nuk obligohet me asgjë“. Le të hyjnë ata që e dhanë këtë zgjidhje, urdhëroi Ebu Jusufi dhe unë hyra me ta,-tregon Ebu Velidi. Në mexhlis i kërkuan të tregojë ndonjë hadith dhe ai tregoi një hadith nga Hasan ibën Salihu pastaj tha: “Nuk kam frikë se ndonjë njeri bën keq, aq sa ia kam frikën se bën keq po foli diçka për Hasan Ibën Salihun”. Në këtë moment, tregon Velidi, më shkoi ndër mend se mendon për Shu’ben, prandaj u ngrita nga mexhlisi duke thënë me vete se nuk ulem në një mexhlis në të cilin flitet për Ebu Bistamin. Dola dhe sërsih mendova në vete: “Njeriu është Kadi i dheut, vezir i emirul mu’mininëve, shoqërues i tij për në haxhxh, ç’e pengon atë hidhërimi im”. U ktheva sërish dhe u ula në mexhlis derisa ai e përfundoi takimin dhe u drejtua nga një njeri. E pashë që nuk kishte për qëllim tjetër njeri veç meje. Mu afrua dhe më tha: “O, Hisham!- deshi të më drejtohet mua ngase unë isha me të në Bagdat, vallahi nuk pata qëllim ndonjë të keqe për Ebu Bistamin, S’do mend ai në zemrën time është më i madh se sa në tënden, por unë nuk e di se kam parë njeri të mirë si Hasan ibën Salihu“. |