|
Shkroi: Orhan Bislimaj
Humbja e shpresës në Allahun, akt i mosbesimit (kufrit)
(Shpjegim akaidologjik i thënies së Imam Nesefiut r.a.)
قوله:أليَأْسُ مِنَ اللَّهِ تَعَالَي كُفْرٌ
Imam Nesefiu r.a. ka thënë:”Humbja e shpresës në mëshirën e Allahut të Madhëruar konsiderohet mosbesim (kufër).”
Hyrje
Njeriu në konceptin islam, ndonëse është i nderuar mbi të gjitha krijesat e tjera, konsiderohet krijesë e dobët (shih: En-Nisa:28). Karakterizimi i tij me ndjenja, dëshira, padituri, kënaqësi, lakmi, ego etj, tregojnë se ai është qenie në varshmëri dhe mëkatare. Mbi këtë bazë, njeriu sikurse edhe të gjithë krijesat tjera, instinktivisht është qenie e nevojshme. Ka nevojë për ndihmë dhe ndihmtar. Nuk ka ndihmtar të vërtetë përpos Allahut. Ai është krijuesi i Tij dhe pa dyshim është Mëshirëplotë për të. I dhuron mirësi prej mirësive të Tij, në këtë botë dhe në botën tjetër. Në çdo moment i përgjigjet lutësit kur i lutet. Ai është i Gjallë që nuk vdes kurrë. Ai është i Gjithëfuqishëm që nuk ligët kurrë. Ai është i Gjithëditur që di çdo gjë. Ai është Absolut në Qenien e Vet dhe në Cilësitë e Veta. Prandaj, besimtari gjithmonë duhet t’i drejtohet Allahut në të gjitha gjendjet, të shpresojë në ndihmën dhe mëshirën e Tij, duke e larguar çdo dëshprim dhe rrugë, që çon në këputjen e shpresës në Allahun e Madhëruar (اليأس).
Domethënia gjuhësore dhe terminologjike e fjalës “el-je’su”
Shprehja اليأس (el-je’su) është nocion i gjuhës arabe, përkatësisht infinitiv i llojit të I-rë të foljeve (eth-thulathijju el-muxher-rredu). Koha e shkuar bën ‘يئِس’, koha e tashme dhe e ardhshme bën ‘يَيْئَس – ييْئِس’, kurse infinitivi bën ‘يأسا dhe يآسة’, që nënkupton:”këputjen e shpresës dhe humbjen e dëshirës për të”
(إنقطع أمله منه وانتفي طمعه فيه)
Ndërsa në aspektin terminologjik, اليأس (el-je’su) identifikon “këputjen e shpresës në mëshirën e Allahut të Madhëruar”. Si term akaidi, ‘këputja e shpresës’ (اليأس) konsiston besimtarin musliman, i cili duke e ditur se është qenie që gabon (mëkatare) dhe i varur në ekzistencën e vet nga mirësitë e Allahut, e humb shpresën në mëshirën e Allahut dhe në shpërblimin e Tij.
Poenta e çështjes
Veprimtaria e njeriut karakterizohet në dy cilësi: në të mirën (sevapin) dhe në të keqën (mëkatin). Çdo vepër e tij ose është e mirë ose është e keqe. Tërë jeta e tij përshkohet nga këto dyja, ndërsa ngritet mbi shpresën. Njeriu jeton, për se shpreson. Si e mira si e keqja dhe jeta janë të lidhura për shpresën. Sepse, besimtari kur bën vepra të mira (sevape), shpreson në shpërblimin e Allahut si pjesë e mëshirës së Tij, ndërsa kur bën vepra të këqia (mëkate) shpreson në faljen e Tij, sërish si pjesë e mëshirës së Tij. Pra, edhe kur bën mirë edhe kur bën keq, shpresa është prezente. Mirëpo, nuk i lejohet besimtarit të thotë se duhet të shpërblehet patjetër për sevapin, apo të falet për mëkatin, sepse ky do të ishte detyrim ndaj Zotit, e Allahu nuk detyrohet me asgjë.
Nga këtu dijetarët e Ehlu’s-Sunnetit ve’l xhemaatit, kanë ngritur parimin akaidologjik, sipas të cilit “shpresa” apo “shpresimi” në Allahun konsiderohet obligim besimor për secilin besimtarë pa dallim. Sa i përket besimtarëve vepërmirë ata thonë:
و نرجو للمحسنين من المؤمنين أن يعفو عنهم و يدخلهم الجنة برحمته و لا نأمن عليهم، و لا نشهد لهم بالجنة
”SHPRESOJMË për besimtarët vepërmirë që Allahu t’ia falë mëkatet dhe t’i shpie në xhennet me MËSHIRËN e Tij dhe për këtë nuk mund të sigurojmë e as të dëshmojmë se janë xhennetli”, ndërsa për besimtarët vepërkëqinj:
و نستغفر لمسييئهم، و نخاف عليهم، و لا نقنطهم
“dhe kërkojmë falje për besimtarët vepërkëqinj, frikësohemi për ta (në mos do t’i ndëshkojë Allahu), por SHPRESËN (për faljen e tyre) nuk e humbim”.
Sipas këtij parimi, si në rastin e parë si në rastin e dytë, dëshira për të ardhmen e besimtarëve bazohet në shpresë, e jo në siguri, sepse e ardhmja është në dorë të Allahut, e njeriu vetëm mund ta shpresojë atë.
Prandaj, në mënyrë që ta kuptojmë atë që e ka thënë Imam Nesefiu më lartë se ”Humbja e shpresës në mëshirën e Allahut të Madhëruar konsiderohet mosbesim (kufër)”, nevojitet që t’i sqarojmë ndarazi tri komponente:
• mëshirën e Allahu , si pikë referuese (për shpresën e besimtarit)
• karakterizimin e shpresës , si cilësi gravituese (në mëshirën e Allahut), dhe
• domethënien akaidore të humbjes së shpresës në mëshirën e Allahut si konkluzë qartësuese.
A) Ç ’ka nënkupton mëshira e Allahut?
Për ta kuptuar rëndësinë e ‘humbjes së shpresës’ në ‘mëshirën’ e Allahut, duhet ta kuptojmë parasëgjithash ‘mëshirën’ e Allahut, ngase ajo është objektivi që synohet.
Në konceptin islam, mëshira e Allahut identifikon tërësinë e ‘rububijes’ (Allahun krijues dhe furnizues të çdo gjëje) në kuptimin se Ai është krijuesi i vetëm i vërtetë dhe për këtë arsye është ‘Es-Samed’- që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë.
Mëshira e Tij ndaj njeriut shtrihet edhe në këtë botë edhe në botën tjetër. Vetë jeta e njeriut dhe të gjitha të arriturat e tij në këtë jetë i përkasin Allahut xh.sh., sepse çdo gjë që ekziston burimin e vet e ka detyrimisht në mëshirën e Allahut Fuqiplotë. Si mund ta kuptojmë këtë?
Ne e dimë se njeriu nuk mund të bëjë asnjë lëvizje e as një vepër, përpos se kjo të jetë me “الإستطاعة’- energjinë e mjaftueshme, të cilën Allahu ia dhuron njeriut mu në momentin kur dëshiron të veprojë, as para e as mbrapa. Kjo ‘energji’, që ndryshe quhet edhe ‘taakat’ – fuqia, tërësisht i përket Allahut, ngase rrënjët i ka në furnizimin e Tij (er-rrisku) përkatësisht në dhuntitë e Tij, që i ka krijuar për ne në tokë e në qiej. Ai është që na ka dhuruar mendje, gjymtyrë, apo me një fjalë, na ka dhuruar trup funksional me të cilin veprojmë dhe për këtë trup na ka krijuar ushqime nga më të mirat. Nga toka na jep frutat, e nga qielli na zbret shiun (ujin), pa të cilin nuk mund të ekzistojë asgjë e gjallë. Njeriu pa u furnizuar me ushqime dhe ujë, nuk mund të ketë fuqi e as energji, e kur nuk i ka këto, ai nuk mund të bëjë asgjë, sepse nuk ka forcë. E kur nuk mund të bëjë asgjë, ai nuk mund të sigurojë jetesë. E ai që nuk siguron jetesë, ai është i detyruar të vdesë. Nga ky aspekt themi se gjithçka që ka njeriu, i përket Allahut. Kësaj i dorëzohen të gjithë pa dallim, besimtarët dhe jobesimtarët, duan apo s’duan: ”… E Atij i është dorëzuar gjithë çka në qiej e në tokë, me dashje e pa dashje”(Ali Imran: 83).
Prandaj, jeta jonë është varësi e pashmangshme e këtyre mirësive të panumërta. Nëse për një kohë na mungojnë, jeta jonë në moment merr fundin e pakthim. Atëherë, a nuk është bamirësi dhe mëshirë e pakrahasuar kjo!? Pa dyshim se po.
Le të themi se ky është vetëm një aspekt i mëshirës së Allahut xh.sh., dhënë njeriut në këtë botë. Po, le të shikojmë prej dhuntive të Tij në botën tjetër:
Allahu i Madhëruar në Kur’an, besimtarëve, për shkak të imanit dhe veprave të mira, u ka premtuar xhennetin (Shih: Fet’h:29). Premtimi i Tij është hakk dhe nuk shkilet (shih: Ali Imran:194). Ndërkohë që, ne e dimë se xhenneti nuk u dhurohet besimtarëve pse veprat e tyre të mira po e merituakan atë. Jo, absolutisht, sepse vlera e xhennetit dhe e shpërblimit të Allahut është pakrahasim më e madhe se sa vlera e veprave të tyre, ndaj dhe ato nuk janë arsye për hyrjen e besimtarit në xhennet. Por, cila është arsyeja që i dhurohet xhenneti? Pa dyshim është premtimi i Allahut dhënë besimtarëve dhe mëshira e Tij për të cilën po flasim. Kjo bazohet në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejra r.a. se Resulullahi s.a.v.s. ka thënë:
لَنْ يُدْخِلَ أَحَدًا عَمَلُهُ الْجَنَّةَ قَالُوا وَلَا أَنْتَ يَا رَسُولَ اللَّهِ
قَالَ لَا وَلَا أَنَا إِلَّا أَنْ يَتَغَمَّدَنِي اللَّهُ بِفَضْلٍ وَرَحْمَةٍ
“Askend nuk do ta shpie në xhennet vepra e tij. (Ata) Thanë: As ty o i Dërguari i Zotit? (Ai) Tha: As mua, vetëm nëse Allahu më përfshinë (mbulon) me mirësi dhe mëshirë”.
Edhe më tej, Mëshira e Allahut nuk mbaron këtu. Ajo vazhdon në pafundësi. Do ta përmendim vetëm edhe një detaj. Allahu veprën e mirë të besimtarit, në Ditën e Kijametit do ta shpërblejë me dhjetë fishin e saj e më shumë, ndërsa veprën e keqe me njëfishin e saj apo edhe e falë nëse Ai do. Në lidhje me këtë i Lartëmadhëruari thotë:
مَن جَاء بِالْحَسَنَةِ فَلَهُ عَشْرُ أَمْثَالِهَا وَمَن جَاء بِالسَّيِّئَةِ فَلاَ يُجْزَى إِلاَّ مِثْلَهَا وَهُمْ لاَ يُظْلَمُونَ
“Kush vjen me një (punë) të mirë (në ditën e gjykimit) shpërblehet dhjetë fish, e kush vjen me vepër të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të. Atyre nuk u bëhet e padrejtë” (El-En’am: 160) .
A nuk është mirësi dhe mëshirë e vërtetë kjo!? Me të vërtetë: “… edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër)…” (Ibrahim:34),
Atëherë sërish shtrohet pyetja, kush është ai që nuk po e shpresuaka mëshirën e Allahut, apo nuk po e dëshiruaka atë, për sa koha, që vetë jeta e tij është varësi e saj?! Ai që nuk e do mëshirën e Allahu, ai është kundër mirësive që i shfrytëzon dhe vetë jetës së vet të cilën e jeton, sepse gjallëria e tij, burimin e ka në mëshirën e Allahut.
Prandaj, filozofët gjermanë e kanë vërjetur se njëra prej tri kërkesave më të mëdha dhe më të ngutshme të filozofisë ka qenë edhe ajo:”Kush është ai që ne e shpresojmë dhë që shpresat tona janë të lidhura për të?” Kjo mendësi filozofike, mbase tregon se qartësimi i objektivit në të cilin bazohen shpresat e njeriut, është organizmi i gjallë i jetës së njeriut, në të kundërtën, ç’rëndësi ka krijimi i njeriut dhe jeta e tij, nëse e ardhmja e tij nuk bazohet në shpresa të qarta. Njeriu që nuk shpreson, e humb dëshirën për të vepruar dhe jetuar. Sepse nuk e di se: Përse jeton!? Ç’ka synon në jetën e vet!? Ç’ka shpreson në veprimet e veta!? A mos vallë është krijuar vetëm për t’i përmbushur pasionet!?... Pra, nuk e di se ku fshihet menquria e krijimit të tij dhe ardhmja e tij në këtë jetë.
Kur’ani Famëlartë përgjigjet në këtë kërkesë dhe sqaron se qëllimi i krijimit të njeriut është sprovimi i tij ndaj urdhëresave dhe ndalesave të Allahut (shih:El-Mulk:2) dhe ibadetull-Llahi - adhurimi i Allahut, të cilin ai duhet ta synojë dhe shpresojë, sipas ajetit:”Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë” (Edh-Dharijat:56) . Pasi që adhurimi i Allahut, qenka qëllimi i krijimit të njeriut, atëherë njeriu obligohet që për çdo ide apo veprim në jetën e vet, parasëgjithash, shpresat e tij t’i drejtojë drejt Atij për të Cilin është krijuar, pra, drejt Allahut, duke e shpresuar shpërblimin dhe të mirat e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij për veprat e këqia.
Argumentet që obligojnë shpresën në mëshirën e Allahut
Argumentet që obligojnë shpresën në mëshirën e Allahut janë të shumta nga Kur’ani, Sunneti dhe arsyeja. Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë:
قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنْفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِنْ رَحْمَةِ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ
”Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet…” (Ez-Zumer:53). Po ashtu Allahu thotë:
قَالَ وَمَنْ يَقْنَطُ مِنْ رَحْمَةِ رَبِّهِ إِلَّا الضَّالُّونَ
“Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur” (El-Hixhr:55-56).
Transmeton Imam Muslimi nga Ebu Hrejra r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë:
وَالَّذِي نَفْسِي بِيَدِهِ لَوْ لَمْ تُذْنِبُوا لَذَهَبَ اللَّهُ بِكُمْ وَلَجَاءَ بِقَوْمٍ يُذْنِبُونَ فَيَسْتَغْفِرُونَ اللَّهَ فَيَغْفِرُ لَهُمْ
“Pasha Allahun në dorën e të cilit është shpirti im, sikur të mos bënit mëkate Allahu do t’ju zhdukte dhe do të sillte një popull që bënin gjynahe, i kërkonin falje Allahut dhe Ai i falte”
Sa i përket argumentit logjik, është ky: kur e kemi të qartë se çdo njeri gabon, atëherë, patjetër është që ky të kërkojë falje për gabimet e tij. Ndërsa kërkesa për falje bazohet në “shpresën” për faljen e mëkateve, në të kundërtën nuk do të kërkohej falje. Ndërsa Ai që fal mëkatet (Allahu xh.sh.), ai e bën këtë në saje të mëshirës së Tij. Në këto relacione themelohet shpresa e njeriut në Mëshirën Allahut.
B) Ç ’ka nënkupton ‘shpresa’?
Më lartë e pamë, se mëshira e Allahut, është ‘dhurata’, që secili njeri e shfrytëzon në çdo moment pandërprerë. Është ajo që nuk mund të mohohet, sepse pa të nuk mund të jetojmë. Thënë shkurt e qartë është ‘ajri’ që frymojmë. Atëherë le të shikojmë se çka është shpresa.
“Shpresa” (الرجاء) gjuhësish nënkupton dëshirën e njeriut, që një dëshirë të synuar, që është e largët në arritje të kalojë në mundësi të afërt . Ndërsa në kuptimin praktik ‘shpresa’ nënkupton “përkushtimin e zemrës ndaj një dëshire të synuar duke vënë në përdorim shkaqet që të çojnë tek ajo”. E shkaqet që çojnë tek ajo, janë vetë puna, përpjekja dhe përgatitja për ta arritur atë.
“Dijetarët kanë konsenzus se shpresa e vërtetë bazohet në punë (لا يصح إلا مع العمل)” . Ibni Ataullahi r.a. thotë: “shpresa është ajo që shoqërohet me vepër, përndryshe ajo mbetet vetëm dëshirë”. P. sh.: shpresa për ta fituar xhennetin arrihet duke i braktisur mëkatet dhe zbatuar adhurimet . Këtë e argumenton fjala e Allahut të Madhëruar:
فَمَنْ كَانَ يَرْجُوا لِقَاءَ رَبِّهِ فَلْيَعْمَلْ عَمَلًا صَالِحًا وَلَا يُشْرِكْ بِعِبَادَةِ رَبِّهِ أَحَدًا
”… E kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë” (El-Kehf:110). Në këtë ajet, Allahu e ka kushtëzuar arritjen e takimit të Tij me bërjen e veprave të mira dhe adhurimin ndaj Tij duke mos i bërë kurrfarë rivaliteti.
Ose ajeti tjetër ku i Lartëmadhërishmi thotë:
إِنَّ الَّذِينَ آَمَنُوا وَالَّذِينَ هَاجَرُوا وَجَاهَدُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ أُولَئِكَ يَرْجُونَ رَحْمَةَ اللَّهِ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ
”Ata të cilët besuan, ata që u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e Allahut, ata meritojnë të shpresojnë në mëshirën e Tij. Allahu falë shumë dhe është Mëshirues” (El-Bekare:218). Domethënë, ata që bënë hixhret – shpërngulje dhe luftuan në rrugën e Allahut, ata janë meritor të shpresojnë në mëshirën dhe të mirat e Allahut.
Këto dy ajete argumentojnë se “shpresa është nocion që përdoret për pritjen e diçkaje të dëshiruar, shkaqet e brendshme të sëcilës janë përgatitur me zgjedhjen dhe vullnetin e lirë të njeriut, e s’ka mbetur asgjë tjetër veçse ajo për të cilën ai s’mund të zgjedhë, e që është mirësia e Allahut të Madhëruar, e cila nënkupton largimin e pengesave shkatërruese”.
Domethënë, nuk mund t’i drejtojmë shpresat e të presim arritjen e një dëshire të synuar, nëse për këtë nuk i krijojmë parakushtet. p.sh. nuk mund të shpresohet se ara do të japë bereqetin nëse paraprakisht nuk është mbjellur dhe nuk është vënë re për zhvillimin e mëtutjeshëm të saj, ose njeriu të presë se mund të ketë fëmijë pa bërë marrdhënie intime me bashkëshorten, ose, se mund të bëhet më i dituri i njerëzve në kohën e vet pa studiuar fare etj. Allahu i Madhëruar në Kur’an i qorton ata që e presin mëshirën e Allahut pa u angazhuar fare për të, sikurse thotë:”E pas tyre erdhi brezi që trashëgoi librin. Këta merrnin mjete të pavlerë (lakmues që nuk dallonin të mirën a të keqen) e thonin: Do të na bëhet falje, ndërsa, po t’u vijë atyre diç si ajo, e merrnin atë përsëri…” (shih:El-A’raf:169).
Prandaj, pasiqë shpresa bazohet në angazhim, në rastin konkret përmbajtja relevante e saj konsiston angazhimin e besimtarit, i cili obligohet, që në mënyrë të vazhdueshme, të gjitha veprimet, mendimet a planifikimet e veta t’i zhvillojë në atë mënyrë që ngriten mbi shpresën në Allahun e Madhëruar, sepse njeriu që beson Allahun, ai e shpreson Atë dhe është falënderues ndaj Tij. Pastaj, ai që beson Allahun, ai jetën e vet e akordonë në pajtim të plotë me normat që dalin nga besimi, duke iu frikësuar dënimit të Allahut për mëkatin e mundshëm dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij për të mirat e tij dhe adhurimin.
Nga këtu, konkludojmë se shpresimi i Allahut, identifikon individin (besimtarin) që largohet nga të këqiat, ndërsa vrapon pas të mirave dhe kurrë nuk zhgënjehet në jetën e vet, pa marrë parasysh sfidat që mund t’i kalojë. Ai e shpreson Allahun në çdo moment, e beson gjithëfuqinë e tij dhe mëshirën e Tij permanente. E adhuron Allahun pandërprerë dhe nuk i bën shok askë. Krejt këtë e bën për hirë të mëshirës së Allahut që ia ka dhuruar në këtë jetë dhe shpreson t’ia dhurojë edhe në botën tjetër. Shpresën për mëshirën - xhennetin e Tij, e bazon në punë, sepse e di se Allahu në një hadith ‘kudsij’ ka thënë:
ما أقل حياء من يطمع في جنتي من غير عمل. كيف أجود برحمتي علي من بخل بطاعتي
”Njeriu më i pamarre është ai që dëshiron (lakmon) xhennetin Tim pa bërë asgjë për të. Si mund t’ia dhuroj mëshirën Time dikujt që është koprrac në adhurim ndaj Meje” .
C) Domethënia akaidore e ‘humbjes së shpresës’
në mëshirën e Allahut
Pasi ta kemi kuptuar nga më lartë se çfarë rëndësie ka mëshira e Allahut, pastaj pasi ta kemi kuptuar domethënien e shpresës e cila thamë se përshkon tërë jetën e besimtarit dhe se shpresa e vërtetë themelet i ka në angazhim, tani e kemi krejtësisht të lehtë ta kuptojmë domethënien besimore të shpresës në Allahun e Madhëruar dhe pasojën e humbjes së saj.
Është parim akaidologjik (besimor) se këputja e shpresës te besimtari nuk duhet të vijë në shprehje asnjëherë dhe në asnjë moment, sepse bazuar në argumentet tradicionale dhe sipas të gjithë dijetarëve ‘këputja e shpresës’ është kontradiktë e besimit (imanit). Edhe ‘këputja’ e shpresës edhe imani, nuk mund të ekzistojnë në të njëjtën kohë te një njeri. Ose njëra ose tjetra. Edhe besimtar në Allahun edhe i pa shpresë në Atë, janë dy gjëra që nuk bashkohen.
Allahu xh.sh. nëpërmjet gjuhës së Pejgamberit Jakup a.s. në Kur’an thotë:
وَلَا تَيْئَسُوا مِنْ رَوْحِ اللَّهِ إِنَّهُ لَا يَيْئَسُ مِنْ رَوْحِ اللَّهِ إِلَّا الْقَوْمُ الْكَافِرُونَ
“… e mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në Allahun” (Jusuf:87).
Ky ajet dhe të tjerë që u cituan më parë, mbase argumentojnë se humbja e shpresës në mëshirën e Allahut është e barbartë me mosbesimin.
Transmeton Imam Muslimi nga Xhabir bin Abdullah el-ensarij r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. tri ditë para se të vdesë e ka porosit ymmetin e vet që:
لَا يَمُوتَنَّ أَحَدُكُمْ إِلَّا وَهُوَ يُحْسِنُ الظَّنَّ بِاللَّهِ عَزَّ وَجَلَّ
“Mos të vdes askush nga ju, përpos se të ketë mendim të mirë (të shpresojë) në mëshirën e Allahut”
Po ashtu edhe dijetarët e ymmetit thonë se humbja e shpresave, është akt i mosbesimit.
Imam Ebu Hanife r.a. thotë: “Kur robi e adhuron Allahun me besim të plotë, tek ai hynë shpresa dhe frika nga Allahu (…). Njeriu, pa shpresë dhe frikë në Allahun nuk konsiderohet besimtar.”
Pastaj, Imam Tahaviu r.a. thotë: “Mosfrika nga dënimi i Zotit (الأمن) dhe këputja e shpresës (الإياس), janë dy çështje që njeriun e nxjerrin nga imani”
Atëherë, cila është ajo domethënia karakterizuese, që humbjen e shpresës si akt të frikshëm e bënë pjesë të mosbesimit? Ku është akcenti i kësaj çështje?
Humbja e shpresës në mëshirën e Allahut konsiderohet mosbesim, sepse:
1. Humbja e shpresës e kundërshton konceptin besimor se shpresa në mëshirën e Allahut, është diçka që në linjën natyrore, nuk mund të ndërpritet e as të humbët asnjëherë, ngase njeriu domosdoshmërisht është qenie e varur nga ajo.
Si mund të ndërpritet shpresa, kur në saje të saj është gjallëria jonë!? Ajo është që na ushqen dhe që na mbanë në jetë, është ajri që ne frymojmë. Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë: “Mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë” (El-A’raf: 153)
Në këtë kontekst, çdo krijesë instinktivisht është e mbështetur në mëshirën e Allahut. Kjo është e qartë për të gjithë edhe për pabesimtarët të cilët nuk e besojnë Allahun e Madhëruar për krijues edhe për besimtarët që e besojnë Atë. Njeriu i shfrytëzon apo i ka në dispozicion të gjitha mirësitë e gjithësisë, ndërsa në krijimin e tyre nuk e ka asnjë meritë. A thua, i shkon mendja ndonjëherë të pyesë se, e kujt është kjo gjithësi? Kush e krijoi këtë në strukturë supernatyrore apo të jashtzakonshme. Kush është ai që këto mirësi i bënë të pashterrshme dhe reproduktive? Pa dyshim se është Allahu Fuqiplotë. Këtë të vërtetë, po ashtu e pranojnë të gjithë, sepse të gjithë e dinë se gjithësia nuk është krijim i njeriut (Shih:El-Ankebutë:61).
Atëherë, nëse e kemi në shfrytëzim një dhunti sa jetike aq të domosdoshme, e të cilën nuk e kemi krijuar vetë dhe, për të cilën nuk na kërkohet kurrfarë kompenzimi, çfarë mund t’i themi tjetër, përpos se është dhuratë dhe mëshirë e pastër. E kur e dimë se është e tillë, dhe ashtu është, si mund që ta ndërpresim shpresën në diçka që është shkak për jetesën tonë?! Natyrisht se është e pakuptimitë. Atëherë, a nuk është kjo argument se të gjithë njerëzit padallim, besimtarë dhe jobesimtarë, instinktivisht janë të mbështetur në mëshirën e Allahut!? A nuk po e vërjemë këtë në çdo çast të jetës sonë!? Të gjithë themi se po. Mund të themi edhe jo, por për këtë kërkohet arsyetim, e arsyetimi është i pamundur.
Prandaj, kjo vërteton se këputja e shpresës është mosbesim. Domethënë se njeriu duke vepruar me vetëmohim, mohon diçka që detyrimish është i varur nga ai, pra nga mirësitë / mëshira e Allahut, kurse duke vepruar kështu apriori i atribuon vetvetes vetinë hyjnore të ‘mjaftueshmërisë’, e cila padyshim konsiderohet mosbesim.
2. Humbja e shpresës e kundërshton parimin besimor se Allahu është Bëmirësi i Vetëm i njeriut në kuptimin e mirfilltë dhe ndihmtari më i madh dhe miku më i afërt i besimtarëve.
Kur Ai dëshiron ta ndihmojë njeriun, ndihma e Tij nuk ka kufijë. Pa marrë parasysh sfidat që besimtari i përjeton dhe momentet që i kalon, Allahu është afër Tij. I përgjigjet në momente të vështira dhe në çaste të gëzueshme. Por, sikurse thotë i Lartëmadhëruari: “Vërtet, njeriu është përbuzës ndaj Zotit të vet” (El-Adijatë:6). Sepse, është i prirur që t’i sheh vetëm të këqiat, e i harron gjitha ato të mira të panumërta. E mira dhe e keqja janë sprovë në kontekstin e krijimit të njeriut. Sikurse njeriu që kënaqet me të mirat, po ashtu edhe të këqiat, nuk mund të çojnë në këputjen e shpresës në Krijuesin e vet, sepse janë pasojë e veprimeve të veta (shih:En-Nisa:79; Esh-Shura:30).
Rrjedhimisht, kur besimtari e humb shpresën në mëshirën e Allahut, me aktin e tillë, Ai i injoron të gjitha ato mirësi që Allahu ia ka dhuruar për shfrytëzim, në njërën anë, dhe në anën tjetër me vetë aktin e vet e konteston (injoron) mundësinë e Allahut për ndihmë momentale dhe të mëtejshme. Ky veprim kësisoji, është një nënçmim i rëndë që krijesa i bën Krijuesit dhe shënon asgjësimin e imanit. Domethënë, besimtari i këput shpresat, sepse nuk shpreson në ndihmën e Allahut. Ndërsa ai që nuk shpreson në Allahun, ai këtë e bën ngase s’ka besim (iman) në Të dhe nuk beson në mundësitë e Tij. E, kush i kufizon mundësitë e veprimit të Allahut, ai e llogarit Allahun të pafuqishëm dhe kështu të painteres në jetën e vet. Në të kundërtën, askush nuk mund t’i çorrojë sytë e vet, përderisa beson se ata i japin mundësi për shikim. Ngjashmërisht, askush nuk mund ta këpusë shpresën në Allahun e Lartëmadhëruar, përderisa beson se Ai ia ka dhururar (krijuar) këto sy aq të nevojshëm (kupto gjithë ato të mira). Në rrethana normale, nuk është e mundur, por kur mungon imani te njeriu, e keqja e tij nuk ka kufij.
Pra, i gjithë akcenti i çështjes është te imani si burim i veprimeve. Kur ekziston imani i drejtë, individi do ta kuptojë se Allahu nuk mund të zëvendësohet me asgjë, sepse Ai është që ne i drejtohemi Atij, e Ai nuk është i nevojshëm për ne. Kush thotë se e beson Allahun për Krijues, por nuk shpreson në mëshirën e Tij, ai është gënjeshtar në besim, sepse nëse e beson Allahun në mënyrë të vërtetë, nuk mund të mos e shpresojë Atë. Allahu i Madhëruar në Kur’an tregon se pikërisht koncepti i gabuar në Allahun është ai që sjell shkatërrimin / dëshpërimin:”Mendimi juaj i gabuar, të cilin e patët ndaj Zotit tuaj, është ai që ju shkatërroi dhe tani jeni më të dëshpëruarit” (Fus-silet:23).
3. Humbja e shpresës, bie ndesh me vetë idealet që inkorporon shpresa, sepse shkakton pesimizmin dhe dëshpërimin (ألقنوط).
Allahu i Madhëruar, nëpërmjet gjuhës së Pejgamberit Ibrahim a.s. e ka quajtur të humbur atë që dëshpërohet nga mëshira e Tij. Në Kur’an, tregohet, se kur melekët i kishin marrë myzhde Ibrahimit a.s. se do t’i lindë atij një djalë (Ismaili a.s.), Ibrahimi a.s. për shkak se ndihej i shtyrë në moshë, u tregua pak pesimistë në këtë. Ndërsa në insitimin e melekëve se “Ne të morëm myzhde me atë që është e sigurtë e ti mos u bën i pashpresë!” (Ibrahimi a.s.) tha:
قَالَ وَمَنْ يَقْنَطُ مِنْ رَحْمَةِ رَبِّهِ إِلَّا الضَّالُّونَ ﴿56﴾
“Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur” (El-Hixhr:55-56).
Ndërsa Pejgamberi a.s. dëshpërimin e ka përmendur si njëra prej dy gjërave shkatërruese të njeriut:
أَلْهَلَاكُ فِي شَيْئَيْنِ: أَلْعُجْبُ وَ الْقُنُوطُ
“Shkatërrimi është në dy gjëra: në ‘uxhb’ – glorifikim të vetëvetes, dhe në ‘kunut’ – dëshprim (humbje të shpresës)” .
I dëshpëruari konsiderohet i ‘humbur’ dhe i ‘shkatërruar’, sepse i ka rrënuar tri veti qëndrore, të cilat i inkorporon në vete shpresa:
1. dashurinë për atë që e shpreson (محبة ما يرجوه),
2. frikën nga ikjet (kalimi) i saj (خوفه من فواته); dhe
3. angazhimin në arritjen e saj sipas mundësisë (سعيه في تحصيله بحسب الإمكان)
Ndërsa, ai që e këput shpresën në Allahun, ai e bën këtë, sepse: 1. nuk e dëshiron shpërblimin e Tij, ngase nuk e ka synim; 2. nuk i bëhet vonë pse i kalon mundësia për arritjen e atij shpërblimi dhe nuk frikësohet nga ndëshkimi i Tij; dhe 3. nuk bën kurrfarë përpjekje për ta arritur atë.
Në këtë konstelacion, ai që e këput shpresën në Allahun, ai nuk mund të mos bie në njërën prej këtyre apo në të tria bashkërisht. Domethënë:
- nuk shpreson në Allahun, sepse nuk e dëshiron shpërblimin dhe ndihmën e Tij, e ai që nuk i do këto, ai është mosbesimtar;
- nuk frikësohet nga Allahu për moskryerjen e atyre veprave (adhurimeve) që çojnë te shpërblimi i Allahut, sepse nuk i druhet dënimit të Tij, e vetëm mosbesimtarët nuk i druhen dënimit të Allahut; dhe
- nuk kontribuon në arritjen e mëshirës së Allahut, sepse nuk beson në vërtetësinë (efikasitetin) e saj, e ai që e injoron mëshirën e Allahut apo gjithëfuqinë e Tij, ai padyshim është mosbesimtar.
Prandaj, për këto arsye dhe të tjera, humbja e shpresës në mëshirën e Allahut, llogaritet mosbesim në Allahun e Madhëruar.
Shpresa në dikend tjetër krahas shpresës në Allahun
Sa i përket humbjes së shpresës, u pa ajo se është mosbesim. Tani le ta shohim se, si qëndron çështja kur krahas shpresës në Allahun, shpresohet edhe në dikend tjetër. Në raste të tilla, është shumë me rëndësi për besimtarin mënyra se si e fokuson shpresën në Allahun, e si e fokuson në dikend tjetër. Në lidhje me këtë, Imam A’dham Ebu Hanife r.a. thotë se janë dy mënyra se si njeriu e shpreson Allahun:
E para: kur besimtari e shpreson dikend ose frikohet nga dikush me bindjen se ai mund t’i bëjë dëm apo dobi pa ndihmën e Allahut. I tilli konsiderohet kafir (mosbesimtar), dhe
E dyta: kur besimtari e shpreson dikend apo frikohet nga dikush me shpresën se ai mund t’i sjellë ndonjë të mirë apo me frikën se mund t’i bëjë ndonjë të keqe, mirëpo, këto (shpresën dhe frikën) mbi të gjitha i bazon në shpresën në Allahun e Madhëruar, që Ai nëpërmjet dikujt tjetër ose nëpërmjet ndonjë shkaku (sebebi) t’ia realizojë ato (të mirën dhe të keqen). Personi i tillë nuk konsiderohet kafir (mosbesimtar). Kështu që, prindi shpreson në djalin e vet se ai mund t’i bëjë dobi, pastaj njeriu shpreson në kafshën e vet se mund ta bartë, fqinji shpreson në fqinjin, populli shpreson në mbrojtjen e kryetarit (sulltanit) etj. Në të gjitha këto raste nuk bëhet fjalë për mosbesim, sepse në realitet shpresat mbështeten në Allahun, se Ai do ta furnizojë prindërin nëpërmjet djalit të vet, ose nëpërmjet fqinjit. Pastaj njeriu e pi barin sherues (ilaçin) duke shpresuar në Allahun që t’i bëjë dobi me të. Andaj, të gjithë këta nuk konsiderohen mosbesimtar.
Ngjashmërisht është edhe me frikën. Njeriu i frikohet të keqës dhe ikë nga ajo duke iu frikësuar sprovimit të Allahut. Një krahasim të këtillë e kemi te Musai a.s. të cilin Allahu e zgjodhi për pejgamber dhe e veçoi me të folur të drejtëpërdrejtë pa të dërguar (ndërmjetësues), por në një moment tha:”Frikohem se do të më vrasin” (Shuaara:14). Po ashtu edhe Pejgamberi ynë Muhamedi s.a.v.s. kur u fsheh në shpellë (nga frika e pabesimtarëve) nuk bëri mosbesim. Pastaj njeriu frikësohet nga egërsira, gjarpëri, akrebi, pastaj nga shkatërrimi i shtëpisë, vërshimi, shkatërrimi i ushqimit, pijes etj. Në të gjitha rastet nuk bëhet fjalë për mosbesim e as dyshim, por për frikë të rëndomtë (الجُبن).
|