|
Orhan Bislimaj
Vendosmëria në agjërim
dhe heqja e dyshimeve
Hyrje

Sipas konceptit të besimit islam, shpërblimi ndaj
besimtarit për zbatimin e një ibadeti (adhurimi), determinohet nga përkushtimi
i qëllimit dhe vendosmëria e vetëdijës së njeriut për realizimin e tij. Ky është
një parim elementar, që përshkon agjërimin si ibadet, po edhe të gjitha
ibadetet tjera në përgjithësi. Në të vërtetë, adhurimi nuk i përmbush kondidat
e tij, gjersa dyshimi zë vend në vetëdijën besimore të besimtarit.
Vendosmëria në agjërim
Vendosmëria, në raport me agjërimin është nga dy
aspekte:
1) Vendosmëria për të agjëruar
Prej tipareve që ndërlidhet ngusht me agjërimin është
vendosmëria. Vendosmëria edhe ndikon në agjërimin, po edhe ndikohet nga agjërimi.
Domethënë, besimtari nuk mund të agjërojë pa patur një vendosmëri për të, dhe në
anën tjetër agjërimi mbetet një institucion i fortë që e kalit shpirtin e
besimtarit për vendosmëri dhe durim përpara sfidave të jetës.
Besimtari, me fillimin e muajit të Ramazanit,
duhet të jetë i vendosur për të agjëruar, dhe jo i dyshimtë e labil. Sepse, vetë
akti i vendosmërisë e lehtëson çështjen në masë të konsiderueshme. Njeriu që
fillon një punë me dyshim dhe i pavendosur, e ka më vështirë se sa kur e fillon
atë me zellshmëri. Besimtari duhet ta radhisë agjërimin në itenerarin e punëve
obligative. Nuk duhet ta nënvlerësojë atë, sepse kjo ndikon në dekurajimin e
tij. Për t’i dhënë vetvetes motiv për vendosmëri duhet të bëjë një krahasim të
thjesht: kur shefi i cakton punëtorit të tij një punë për ta kryer me pagesë,
punëtori urdhërin e tij e pranon si diçka të domosdoshme, që duhet kryer. Për këtë
nuk hamendet fare. Përse? Sepse, urdhëri i tij është i domosdoshëm dhe nuk lë
asnjë hapësirë për mëdyshje. Për ta realizuar këtë, punëtori bën të pamundurën,
duke i lënë anash të gjitha obligimet private, veç nëse i ndodhë ndonjë
aksident, më se bëhet i paaftë. I njëjti krahasim vlen edhe për besimtarin në
raport me Allahun, për dallim që shembulli me Allahun është absolut. Kur punëtori,
nuk mund ta thyejë urdhërin e shefit të tij, por si mund ta thyejë besimtari
urdhërin e Allahut, i Cili është Zot i të gjithëve padallim. Prandaj, kur besimtari e pranon agjërimin si diçka, që
gjithësesi duhet të zbatohet, atë do ta bëjë më me lehtësi, sepse, si shkak i kësaj
tek ai ekziston vendosmëria, ndërsa nuk ekziston mëdyshja dhe rezerva.
2) Vendosmëria që agjërimi të bëhet vetëm për Allahun.
Agjërimi është ibadet – adhurim i Allahut të Lartësuar.
Koncepti i ibadetit, parimisht demonstron interesimin e besimtarit për një linjë
të komunikimit ndërmjet tij dhe Krijuesit. Fakti se agjërimi bëhet vetëm për
Allahun, obligon që vendosmëria e agjëruesit të përkushtohet vetëm në këtë qëllim.
Është prej parimeve të besimit, se besimtari gjatë
kryerjes së ibadetit, nuk guxon të synojë diçka tjetër, përpos arritjes së
devotshmërisë dhe kënaqësisë së Allahut. Po ashtu ai, nuk guxon të fillojë agjërimin
duke patur dyshime ndaj tij. Po ashtu, nuk guxon që me agjërim të synojë
mbajtjen e dijetës, apo shërimin e trupit, pa marrë parasysh se këto mund të rezultojnë
nga agjërimi. Agjërimi është fillim e mbarim ibadet ndaj Allahut. Kjo është më
se e qartë në Kur’an. Allahu xh.sh. në ajetin bazë të agjërimit thotë: “O ju
që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte edhe i atyre që ishin
para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare,183). Pra,
kur Allahu i Madhëruar na ka thënë: “Ua kam bërë obligim agjërimin!”,
ajetin nuk e ka përfunduar me “që të
vuani”, ose “që të shëroheni”, ose
“kurseni”, por ka thënë: “që të bëheni
të devotshëm”.[1]
Ky konstatim, ka mbështetje edhe në shumë hadithe të Pejgamberit a.s., të cilat
dëshmojnë se agjërimi nuk është vetëm të larguarit nga haja dhe pija. Por ai
është largim nga çdo fjalë, vepër, imagjinatë dhe nga çdo gjë tjetër që vjen në
kundërshtim me devotshmërinë. Në hadithin që e transmeton Ebu Hurejra,
Pejgamberi a.s. ka thënë:
عَنْ
أَبِي
هُرَيْرَةَ
قَالَ قَالَ
رَسُولُ
اللَّهِ
صَلَّى
اللَّهُ
عَلَيْهِ
وَسَلَّمَ
كَمْ مِنْ
صَائِمٍ
لَيْسَ لَهُ
مِنْ صِيَامِهِ
إِلَّا
الْجُوعُ
”Sa
e sa prej agjëruesve nuk kanë dobi në agjërimin e tyre përveçse uri...”[2]. E, në një hadith tjetër thuhet:
عَنْ
أَبِي
هُرَيْرَةَ
قَالَ قَالَ
رَسُولُ
اللَّهِ
صَلَّى
اللَّهُ
عَلَيْهِ
وَسَلَّمَ
مَنْ صَامَ
رَمَضَانَ
إِيمَانًا
وَاحْتِسَابًا
غُفِرَ لَهُ
مَا
تَقَدَّمَ
مِنْ ذَنْبِهِ
“Kush e
agjëron muajin e Ramazanit me iman dhe duke qenë i vetëllogaritshëm për të, i
falen të gjitha mëkatet që i ka bërë.”[3]
Fjala ‘ihtisaben’-
i vetëllogaritshëm, që ka ardhur në këtë hadith nënkupton që njeriu ta bëjë agjërimin,
duke e patur për qëllim arritjen e devotshmërisë, të besojë se ai është urdhër
i Allahut dhe për të ka shpërblimin e tij. Kur besimtari i ka parasysh këto
aspekte, dhe në këto beson fuqishëm, pa dyshim vendosmëria e tij për të agjëruar
është në nivelin më të lartë. Përpos kësaj, atij i hiqet perdja e dilemave dhe
e dyshimeve, të cilat e dekurajojnë besimtarin për të agjëruar.
Prandaj, besimtari duhet që në mënyrë të pastër ta
synojë vetëm kënaqësinë e Allahut. Madje, synimi i qëllimeve tjera gjatë agjërimit,
ka pasoja të rënda për besimtarin. Sepse, nëse një ibadet që është veçanti vetëm
për Allahun, i dedikohet edhe dikujt tjetër, i bëhet rivalitet Allahut të Lartësuar.
Ky është një ofendim ndaj Allahut të Lartësuar dhe është akt hipokrit i njeriut.
I Lartëmadhërishmi është distancuar nga një vepër e këtillë e robit. Transmeton
Ebu Hurejra se Pejgamberi a.s. ka transmetuar nga Allahu se Ai ka
thënë:
عَنْ
أَبِي
هُرَيْرَةَ
أَنَّ
النَّبِيَّ صَلَّى
اللَّهُ
عَلَيْهِ
وَسَلَّمَ
يَرْوِيهِ
عَنْ رَبِّهِ
عَزَّ
وَجَلَّ
أَنَّهُ قَالَ
أَنَا خَيْرُ
الشُّرَكَاءِ
فَمَنْ عَمِلَ
عَمَلًا
فَأَشْرَكَ
فِيهِ
غَيْرِي فَأَنَا
بَرِيءٌ
مِنْهُ
وَهُوَ
لِلَّذِي
أَشْرَكَ
“Unë jam shoku më i miri i njeriut. Prandaj, kush e bën
një punë e në qëllimin e bërjes së saj më bën rival Mua tjetërkënd, Unë jam i
pastër (nuk e shpërblej) prej saj, dhe ajo është për atë që ma bëri rival.”[4]
Aspektet e dyshimit në agjërim
Le të shohim se në çfarë aspekte mund të ekzistojë
dyshimi në agjërim. Dyshimi në agjërim është nga dy aspekte:
1. Dyshimi në normën e agjërimit. Ky lloj i dyshimit nënkupton kontestimin e agjërimit
si obligim i domosdoshëm për muslimanin (farz). Është fare e qartë, se në hapësirat
tona mbarëkombëtare, po edhe në botën islame në përgjithësi, ka prej muslimanëve
që, ndoshta pa qëllim të caktuar, mohojnë ndonjë normë prej normave të besimit
islam. Kjo, si pasojë e injorancës individuale dhe e mosnjohjes së fesë islame,
ndërsa duke e vënë fenë nën diapazonin e dëshirave dhe interpretimeve
personale. Bazuar nga kjo logjikë, agjërimi duket të jetë më i godituri në këtë
aspekt. Ndoshta për shkak se përmbajtja e tij, pra duke abstenuar nga haja dhe
pija, është specifike, që në një farë mënyre, në aparencë ndikon në amortizimin
e vullnetit për të agjëruar. Por edhe kjo nuk është shkak i vërtetë, sepse për besimtarin
që është stabil në besimin e tij, askush nuk e pengon dhe as nuk e dekurajon.
Ai me vullnet dhe kënaqësi të lartë e kryen këtë obligim të tij. Por, shkak i vërtetë
për gjykimin e normës së agjërimit, është vetëdija shumë e dobët besimore, e
cila në këtë rast është e mbërthyer në dilema dhe dyshime ndaj besimit islam si
tërësi, po edhe ndaj agjërimit. Prandaj, muslimanët me këso bindje, nuk ia mësynë
fare agjërimit, për sa kohë që më gojën plotë deklarojnë se janë besimtarë
muslimanë.
Pjesë e kësaj mendësie paradoksale janë pohimet e
njerëzve si: agjërimi është sipas dëshirës; agjërimi në fillim ka qenë vetëm
tri ditë, por atë e kanë shtuar hoxhallarët dhe e kanë bërë tridhjetë ditë; agjërimi
nuk është për njerëzit që kanë kushte të mira, por për ata që nuk kanë ushqim të
mjaftueshëm; agjërimi është për dietë; agjërimi është për t’i pastruar mbeturinat
e yndyrave në lukth brenda një viti dhe jo për diçka tjetër; apo gjatë stinës së
verës, agjërimi shikohet si një absurd i fesë islame, dhe gjepura të tjera, që
përgjithësisht, agjërimin e paraqesin si diçka vullnetare dhe jo obligative apo
fetare.
2. Dyshimi në zbatueshmërinë e agjërimit. Po ashtu, ka prej besimtarëve, të cilët e besojnë
agjërimin si obligim islam, por zbatueshmërinë e tij e marrin me rezervë dhe
plogështi, ngase nuk mund të gjejnë justifikim racional për agjërimin. Besimtarët
e këtillë, janë viktimë e mosinteresimit të tyre për njohjen e agjërimit. Në
mungesë të njohurive elementare rreth çështjeve fetare në përgjithësi, e duke u
bazuar në logjikën e gjykimeve personale të infiltruara nga ambiente joislame, ruajnë
konstatime të pavërteta rreth agjërimit dhe realitetit të tij. Mirëpo, kundrejt
kësaj, në mënyrë të pakuptueshme, besimtarët e këtillë agjërojnë gjatë muajit të
Ramazanit!? Një veprim krejtësisht kontradiktor ndërmjet pikëpamjeve dhe
veprimeve. Në njërën anë, shfaqin dilema dhe dyshime rreth realitetit praktik të
agjërimit, e në anën tjetër, zbatojnë obligimin e agjërimit?! Si mund të shpjegohet
kjo?
Është mjaft vështirë të jepet një sqarim i
mjaftueshëm për këtë gjendje kontradiktore. Mirëpo, parimisht ky manifestim ndodhë
te ata besimtar, të cilët vetëdijën fetare të tyre e kanë fituar nga aspekti i
imitimit (taklidit) dhe jo nga aspekti i arritjes së besimit islam nëpërmjet
formës së gjykimit (istidlalen). Vetëm nga ky aspekt, parimisht mund të
justifikohet agjërimi i tyre. Ata, në përgjithësi, duke qenë pjesëtar të fesë
islame, dhe duke jetuar në ambiente familjare me imazh islam, rutinisht motivohen
që të agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit, por pa një vetëdije të qartë rreth agjërimit
si ibadet.
Konkludimi akaidologjik i
çështjes
Më lartë pamë se vendosmëria gjatë agjërimit është
një akt i kërkuar dhe reflekton besimin stabil të besimtarit. Po ashtu, u dha
një parashtrim parimor rreth dyshimeve të mundshme në agjërim. Tani, është më
se e nevojshme të bëjmë një përmbledhje akaidolgjike rreth çështjeve në fjalë.
1) (Mos)vendosmëria në agjërim, është varësi e përjetimit të imanit. Vullneti dhe vendosmëria për të agjëruar
janë varësi e përjetimit të imanit, si burim i të gjitha obligimeve fetare për
besimtarin. Është metodike të themi se besimtari nuk dyshon në imanin e tij,
por ai mund të mos e përjetojë atë në masë të nevojshme. Me këtë rast, imani
mbetet edhe më tutje një lule në saksi, pra në zemrën e njeriut, por, ose pa rrënjë
ose pa kurrfarë arome. Në të dy rastet, ekzistenca e lules nuk jep rezultate.
Gjendja e këtillë nuk lejohet të mbretërojë te besimtari, pa marrë parasysh se
për cilin ibadet bëhet fjalë. Ai në radhë të parë duhet ta kuptojë mesazhin e
fesë islame dhe të besimit islam. Islami nuk duhet të mbetet vetëm një dekor.
Jo, ai duhet të marrë funksion në jetën e njeriut. Duke e kuptuar rëndësinë e
besimit islam, vendosmëria e besimtarit për ta kryer agjërimin, do të jetë pjesë
e pandarë e shpirtit të tij. Për sa kohë që qëndron në një gjendje të padefinuar
të tij, kundrejt besimit islam, ai mëkaton, ngase është përfshirë në vorbullën
e paqartësive.
2. Dyshimi në esencën e agjërimit është mosbesim. Le të themi se “Dyshimi” si nocion paraqet
“ndnjenjën e pasigurisë a mosbesimit për dikë a për diçka”. Ndërsa, “i
dyshimtë’ i thuhet një objektivi që është “jo krejt i qartë a i sigurt, që nuk
dihet me siguri nëse është i vërtetë a i saktë, pra i pasigurt.”[5]
Nga ky konstatim, vërtetohet se dyshimi në esencën e agjërimit, referon
ekzistimin e pasigurisë a mosbesimit të besimtarit për të vërtetën e agjërimit
si pjesë e domosdoshmërive të besimit Islam. Individi që ka një pikëpamje të këtillë
besimore rreth agjërimit, pamarrë parasysh nëse kjo ndodhë për shkak të
mosnjohurive të besimit islam, parimisht ka rënë në mohim të besimit islam,
sepse agjërimi është prej atyre parimeve që konsiderohet domosdoshmëri të besimit
islam (ed-daruretu). Mohimi i një parimi të tillë, është rënie në mosbesim. Por,
ai nuk do të shpallet mosbesimtar gjersa nuk zbatohet procedura adekuate. Së
pari, i qartësohet ndalesa e dyshimit në agjërim me argumente nga bazat e fesë,
dhe se ajo konsiderohet devijim nga rruga e vërtetë, të cilën duhet ta
braktisë. Nëse nuk heqë dorë nga forma e dyshimit, pason vendimi, duke filluar
nga masat më të ulëta të ndëshkimit, e deri te akuza për apostazi - dalje nga
Feja Islame (مرتد),
më se pason ekzekutimi i tij. Ndërsa, në botën tjetër, personi që shkon me mëkatin e mohimit - mosbesimit,
do të ketë dënim të rëndë, pasiqë Allahu i Lartësuar ka dëshmuar në Kur’an se
mosbesimtarët do të jenë përgjithmonë në xhehennem (shih: El-Maide:72-73).
3. Dyshimi në zbatueshmërinë e agjërimit, çon në mohimin e tij. Besimtari nuk guxon që një ritual fetar,
që është i vërtetuar nga bazat e fesë, sikurse është agjërimi, që ta kontestojë
apo ta pranojë me rezervë. Ai mund të shfaq interesimin e tij për t’i njohur
argumentet fetare për një çështje të caktuar të besimit. Por, kur ato
prezantohen, mbyllet çdo alternativë tjetër e kontestimit, veç se të tregojë
besueshmëri dhe zbatimin e asaj. Feja islame, si besim dhe sheriat (ligj), nuk
ka lindur nga njeriu, që t’i nënshtrohet dëshirave dhe opinioneve të njerëzve.
Përkundrazi, feja islame është mbi kapacitetet njerëzore, sepse ka ardhur në
formë të gatshme (nëpërmjet shpalljes), nga Allahu i Lartësuar, që është i
Gjithëdijshëm dhe i Gjithëfuqishëm. Prandaj, perceptimi me rezervë i efekteve të
agjërimit, nga ana e agjëruesit, jo vetëm se e shkatërron shpërblimin e agjërimit,
por çon në mohimin e bindjes në obligimin e agjërimit. Agjëruesi, duhet t’i
qartësojë të gjitha dilemat, nëse veç i ka, dhe agjërimin ta kryejë ashtu siç kërkohet.
Pas kësaj do të vijnë të gjitha të mirat dhe dobitë e agjërimit, disa prej të
cilave mund të perceptohen nga intelekti njerëzor, e disa të tjera mbeten
fshehtësi e mëshirës së Allahut, që te njeriu injektohen prej nga ai nuk e
kupton.
[1] Muhammed Abdull-Llah Draz, “Agjërimi
i Ramazanit”, përktheu nga boshnjakishtja Nexhat Ibrahimi, boton Kryesia e
Shoqatës së Ylemave për RSS-KSAK, Prishtinë, 1998, fq.14-15.
[2] Transmeton: Nesai, Ibni Maxhe dhe Hakimi.
[3] Sahihul Buhari, kitabu: El-Iman, babu: savmu Ramadan ihtisaben
minel imani, nr. 37.
[4] Musnedi i
Ahmedit, Kitabu: Bakije musnedil muketh-thirine, babu: Musnedu Ebi Hurejrete,
nr. 7658
[5] FJALOR i shqipes së sotme,
boton Akademia e Shkencave e Shqipërisë (botimi i dytë), Tiranë, 2002 fq.
278-279.
|