Thënia e Ebu Hanifes:“Imani i banorëve të qiellit dhe të tokës as nuk shtohet e as nuk mungohet. Besimtarët janë të barabartë në iman (besim të plotë dhe të prerë në Allahun) dhe tevhid (në deklarimin e Njëshmërisë së Allahut). Ndërsa ata (mund të) kanë epërsi (ndryshim) në mes vete vetëm nga aspekti i veprave”[1]
Sfera e mospajtimeve rreth imanit
Subjekti i mospajtimeve rreth definicionit të imanit (fi ta’rifil iman) është rreth elementit të tretë e ai është të vepruarit me gjymtyrë. Disa këtë element e kanë bërë si kusht për vlefshmërinë e imanit (shartan li sih-hatil imani), siç janë mutezilët, kurse disa e kanë bërë si kusht për plotësinë e imanit (shartan li kemalil imani), siç është qëndrimi i selefit (tri gjeneratat e para), kënaqësia e Allahut qoftë mbi të gjithë ata.
[2]
Duhet thënë se me shprehjen “el amel bil xhevarih” – të punuarit me gjymtyrë, në parim është për qëllim të rrespektuarit e hallallit dhe haramit, përkatësisht të zbatuarit në praktikë e të gjitha obligimeve fetare që rrjedhin nga të pranuarit e termit iman – besim dhe që për rrezulltat kanë shpërblim tek Allahu i madhëruar, apo të punuarit e ndonjë vepre (nga jeta e përditshme) që është e lejuar dhe e cila është në përputhshmëri me parimet sheriatike të Fesë Islame; si dhe të larguarit nga ato të cilat konsiderohën harame – të ndaluara.
Veprat për nga aspekti i gjithëpërfshirjes së tyre janë tre llojesh:
Veprat e zemrës, siç janë: frika nga Allahu, të kërkuarit mbrojtje tek Ai dhe të mbështeturit kryesisht në Të.
Veprat e gjuhës, siç janë shqiptimi i shehadetit, lavdërimi i Allahut të madhëruar, istigfari dhe të thirrurit e Allahut.
Veprat e organeve trupore, siç janë: namazi, zekati, agjërimi, xhihadi në rrugën e Allahut, studimi i shkencës me qëllim të arritjes së kënaqësisë së Allahut, tregtia etj.
[3]
Ndërsa veprat për nga aspekti i dispozitës së tyre, imam Ebu Hanife r.a.i ndanë në tri kategori:
Veprat obligative - feridaten, ndodhin me urdhërin e Allahut të madhëruar, dëshirën e tij, dashurinë, kënaqësinë, caktimin, fuqinë, krijimin, gjykimin, diturinë, ndihmën (mundësinë) dhe shkrimin e Tij në Levhi Mahfudhë (Pllakun e ruajtur).
Veprat vullnetare - fedileten, nuk janë të urdhëruara nga Allahu i madhëruar, por ndodhin me dëshirën e Tij, me dashurinë, me kënaqësinë, caktimin, përcaktimin, gjykimin, diturinë, ndihmën (mundësinë), krijimin dhe shkrimin e Tij në Levhi mahfudh. Veprat vullnetare nuk janë me urdhërin e Allahut, sepse ato nuk janë obligative - farze
[4], por ndodhin me të gjitha ato që u potencuan më parë duke ja krijuar ekzistimin e shkaqeve, energjinë e mjaftueshme shoqëruese dhe të krijuarit e Tij, do të thotë të shpikurit e Tij, ngase Allahu është krijues i veprave të robërve
[5].
Veprat mëkatare – ma’sijeten, janë ato vepra që nuk ndodhin me urdhërin e Allahut të madhëruar, por ndodhin me dëshirën e Tij, por jo me dashurinë e Tij, me caktimin e Tij, por jo me kënaqësinë e Tij, me përcaktimin e Tij, por jo me ndihmën e Tij. Ato ndodhin me humbjen e Tij (duke mos ju dhënë ndihmë), me diturinë e Tij dhe me shkrimin e Tij në Levhi Mahfudh
[6].
* * *
Siç është pa më parë, qëndrimi i Sun-nitëve rreth imanit- besimit është i ndarë në dysh, mirëpo nuk është shumë kontraverz sa edhe duket në shikim të parë, sepse edhe njëri grup edhe tjetri duke përdorur forma të ndryshme synojnë ta shpjegojnë një gjë për të cilën të dy grupet janë në ujdi.
Shpjeguesi i akaidit të Tahavisë Ibni Ebil Izz El Hanefij thotë: “Mospajtimet ndërmjet Ebu Hanifës dhe imamëve të tjerë të Ehlu Sunnetit është i një karakteri formal. Sepse, nëse veprat e organëve të trupit janë të domosdoshme për besim me zemër, apo ato janë vetëm pjesë prej imanit duke u pajtuar se mëkati i madh bartësin nuk e nxjerr prej besimit, por ai mbetet nën dëshirën e Allahut, nëse do Ai, ia falë atë, nëse do e dënon, (të gjitha) janë mospajtime formale që nuk trajtohen si çrregullime (pasaktësi) në akide (sferën e akaidit)
[7].
Ndërkaç të gjithë imamët e Ehlu Sunnetit janë të mendimit se Allahu prej robërve dëshiron fjalën (el kavl) dhe punën (el amel). Me shprehjen fjalën kanë për qëllim besimin me zemër dhe deklaratën (shprehjen ) me gjuhë. Dhe përmes kësaj bëhet përgjithësimi i thënjeve të tyre se:
Imani është fjalë dhe vepër. Mirëpo, ajo e cila kërkohet është se a i përfshin emri iman të dyja (fjalën dhe veprën), apo mos vetëm njërën prej tyre e ajo është fjala, ndërsa vepra është tjetërfare dhe nuk e përfshinë emri iman-besim me rastin e theksimit të Njëshmërisë (shehadetit) dhe kjo ( pikërisht) është arena e mospajtimit
[8].
Argumentet që dëshmojnë se vepra nuk është element përbërës i imanit
Imam Ebu Hanife r.a. me vet thënien e tij këtu përkrah dhe mbron qëndrimin se veprat gjegjësisht kryerja e tyre është obligim që rrjedh nga imani, por nuk është vet imani.
Vepra nuk hyn në të vërtetën e imanit për disa arsye. Prej tyre më kryesore janë këto:
E para: Ashtu siç u potencua më parë, imani është emër që nënkupton tasdikun – bindjen e prerë.
E dyta: Tekstet (e Kur’anit) që i dëftojnë urdhëresat dhe ndalesat (e të cilat konsiderohën prej veprës), vijnë pas vërtetimit të imanit – besimit, sikurse është fjala e të Lartëmadhërishmit:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ
”O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim…”[9], pastaj:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُتِبَ عَلَيْكُمُ الْقِصَاصُ فِي الْقَتْلَى
” O ju që besuat, u është bërë obligim gjurmimi për dënim për mbytje…”[10]
E treta: tekstet kur’anore dëshmojnë se imani dhe veprat janë dy çështje të ndara, sikurse është fjala e të Lartëmadhërishmit:
الَّذِينَ آمَنُواْ وَعَمِلُواْ الصَّالِحَاتِ
”Ata janë të cilët besuan dhe bënë vepra të mira…”[11]; pastaj
وَمَن يُؤْمِن بِاللَّهِ وَيَعْمَلْ صَالِحًا
“Kush beson Allahun dhe bën vepra të mira…”[12];
وَمَنْ يَأْتِهِ مُؤْمِنًا قَدْ عَمِلَ الصَّالِحَاتِ
”Ndërsa ai që i paraqitet Atij besimtar e që ka bërë vepra të mira…”[13]
Pejgamberi a.s. është pyetur për veprëm më të mirë e ka thënë:
أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ سُئِلَ أَيُّ الْأَعْمَالِ أَفْضَلُ قَالَ إِيمَانٌ لَا شَكَّ فِيهِ وَجِهَادٌ لَا غُلُولَ فِيهِ وَحَجَّةٌ مَبْرُورَةٌ
”Ma e mira vepër është: një besim (në Zotin) që është i pa lëkundur, lufta e shenjtë (xhihadi) të cilën nuk e shoqëron kurrfarë hamendje, dhe haxhi i cili kryhet sipas rregullave të parapra”[14]
E katërta: Ajetet argumentojnë se imani dhe mëkatet kanë ardhur të bashkuara si dy gjëra që janë të ndara, siç është thënia e Allahut të madhëruar:
الَّذِينَ آمَنُواْ وَلَمْ يَلْبِسُواْ إِيمَانَهُم بِظُلْمٍ
”Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë…”[15];
وَالَّذِينَ آمَنُواْ وَلَمْ يُهَاجِرُواْ
“… Ata që besuan, por nuk u shpërngulën…”[16].
وَإِن طَائِفَتَانِ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ اقْتَتَلُوا
”Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete…”[17].
كَمَا أَخْرَجَكَ رَبُّكَ مِن بَيْتِكَ بِالْحَقِّ وَإِنَّ فَرِيقاً مِّنَ الْمُؤْمِنِينَ لَكَارِهُونَ
”(Mospajtimi i tyre për plaqkë është) Ashtu si ai kur të nxori Zoti yt nga shtëpia jote për të vërtetën, e një grup nga besimtarët nuk ishte e kënaqur”[18]
E Pesta: Sikur imani të ishte një emër për veprat e mira (et-taatu), ai do të ishte i tillë për të gjitha, më se edhe do të obligohej rënia e tij me rënien e një pjese të tyre, dhe nuk do të ishte besimtar ai i cili beson me zemër dhe e bën deklarimin me gjuhë të asaj që e ka besuar, derisa nuk i zbaton adhurimet, kurse dijetarët për të kundërtën e kësaj kanë koncenzus, dhe ata kanë nkoncenzus për ate se kush beson me zemër dhe e bën deklarimin me gjuhë, dhe më pastaj të tillin e merr vdekja, ai në fakt ka vdekur besimtar me iman.
E gjashta: Kur Xhibrili a.s. e pyeti Pejgamberin a.s. për imani, ky nuk iu përgjigj me tjetër përpos se ai është tasdik, pa e përmendur veprën.
[19]
Pastaj në vazhdën e këtyre argumenteve radhitet edhe ky se imani është veprim i brendshëm i njeriut, ndërsa vepra është veprim i jashtëm i tij. Që do të thotë se përveç që nuk janë të së njejtës natyrë, ata janë edhe në relacione të kundërta nga aspekti i vështrimit teknik të tyre.
Sepse ne e dimë se njeriu nga aspekti struktural i tij, është i përbërë (krijuar) në dy segmente (anë) të rëndësishme dhe të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë janë vetë jeta e tij. Këto dy anë sipas rëndësisë së tyre janë me karakter qenieformues, strukturues dhe organizues të faktorit njeri. Ato janë ana shpirtërore dhe ana trupore. Ndonëse përmbajtja e këtyre dy segmenteve në aspektin formal (eksterior) është diametralisht kundërthënëse, pajtimi ndërmjet tyre është i domosdoshëm (që njeriu të jetë me bazë të shëndoshë). Kur këto të dyja janë të harmonizuar njëra me tjetrën, në mënyrë të përbashkët e aktivizojnë dhe e vejnë në lëvizje (gjallëri) qenien e njeriut, ndërsa kur këto ndahen njëra nga tjetra, atëherë shkaktohet stagnimi që ne e njohim me emrin vdekje. Kjo konsiderohet vdekje natyrore, mirëpo edhe nëse ato nuk harmonizohen në mes vete mbi bazën e rëndësisë së tyre faktike, atëherë sërisht kemi një ‘vdekje ‘, por kësaj radhe ‘vdekje’ në ndërdije apo në jetë.
Në kontinuitet me këtë, ana shpirtërore është ndjenja psikologjike dhe ‘rezidenca’ qëndrore e imanit-besimit, si dhe qendra komanduese dhe kompetente e njeriut për të dhënë dhe miratuar urdhëra, ndërsa ana trupore është vetë hija e njeriut dhe arena e fushëveprimit (jetësimit, materializimit) të imanit e cila karakterizohet me veprën dhe realizimin e saj.
Shpirtërorja apo shpirti është ai i cili projekton urdhëra për zbatim dhe është element parësorë ne qenien e njeriut, ndërsa truporja apo trupi është fuqi ekzekutuese që bënë zbatimin e projekteve (urdhërave-përceptimeve) të shpirtërorës (besimit) në jetën konkrete. Pra edhe njëri edhe tjetri ndarazi dhe me identitet të mëvetësishëm kanë dhe kryejnë obligimet e veta. Me këtë nënkuptoj p.sh. ekzistojnë dukuri (vepra, ndenja) që i takojnë vetëm shpirtit siç janë gëzimi hidhërimi, knaqësia etj. kurse trupi prej tyre është i zhveshur pamarrë parasysh lidhjet e tyre nga prizmi strukturor i qenies, sikurse që ekzistojnë edhe vepra si p.sh. të vepruarit, të punuarit etj. që janë veçori vetëm e trupit, mirëpo të gjitha dëshirat që projektohen në shpirtë, që të gjitha ato trupi i ekzekuton në vepër.
Ndaj shpirtërorja identifikohet me imanin –besimin (institucoin projektues dhe vendimmarrës), ndërsa truporja identifikohet me vepër (fuqi-instrument ekzekutues). Në bazë të këtij konstatimi rrezullton se shpirti është më i rëndësishëm se materja sikurse që imani-besimi është më cilësor (më i rëndësishëm) se vepra, ndonse njëri pa tjetrin nuk mund të manifestohen në konceptin real të kësaj bote.
Pastaj, sikurse që shpirtërorja është tjetërfare nga truporja (sepse e para është abstrakte ndërsa e dyta është konkrete), ashtu edhe imani është tjetër nga vepra.
Andaj imani është një tërësi më vete dhe i pa ndarë. Ai është ndiesor dhe nuk është diç lëndore, sikurse është vepra - të vepruarit. Vepra është konkrete edhe pse rrezulltatet e saja mund të jenë të ndërlidhura në një mënyrë a tjetër me imanin. Mirëpo, imani (vetvetiu si iman) është nocion abstrakt dhe është tjetër nga vepra. Ai është unikal i cili nuk përbëhet nga pjesët.
Kështuqë imani-besimi që përfaqëson shpirtëroren është tërësi e mëvetësishme, ndërsa vepra që përfaqëson truporen gjithashtu është një tërësi tjetër e mëvetësishme. Sikurse njëra palë ashtu edhe tjetra kanë intengritetin e tyre sovran që gjatë të kuptuarit esencial të tyre nuk guxojmë t’i interpretojmë me një fokusim të njejtë dhe si një tërësi e përbashkët unikale. Besimi e ka rëndësinë e vet të pazëvendësueshme me asgjë tjetër, sikurse që edhe vepra e ka rëndësinë e vet, por jo të një niveli me të besimit. Sepse besimi pa vepër ka kuptim dhe peshë ndërsa vepra pa ekzistimin e besimi është e kotë dhe nuk ka kuptim, sikurse që nuk ka edhe shpërblim
[20].
Nga ky kënd edhe dijetarët e mëhershëm bënë dallimin duke tërhequr paralele ndarëse në mes të besimit si komponentë bazë në njërën anë dhe të veprës si pjesë përbërëse e besimit në anën tjetër.
Imam Ebu Hanife r.a. thotë: Imani është diçka tjetër nga vepra, sikurse edhe vepra që nuk është vet imani. Janë disa momente, në të cilat besimtari mund të lirohet nga disa vepra, por asnjëherë nuk mund të lirohet nga besimi. Nëse gruaja, gjatë mujoreve lirohet nga namazi, kjo nuk do të thotë se ajo është liruar apo urdhëruar të braktis imanin-besimin. Është e vërtetë se Allahu në Kur’an u thotë besimtarëve: “Lerëni tani agjërimin, atë mund ta bëni më von kaza”, por është gjithashtu mëse e vërtetë Ai asnjëherë nuk u ka thënë besimtarëve: “Lëreni imanin, pastaj mund të bëni kaza”. Edhe pse i varfëri lirohet nga dhënia e zeqatit, për të nuk mund të thuhet asnjëherë se lirohet nga imani
[21].
Pastaj, po të ishte feja e atillë që “çdo gjë që urdhëroi Zoti duhet të kryhet patjetër dhe se duhet larguar nga çdo gjë që Zoti e ndaloi”, atëherë të gjithë ata që nuk e kryejnë atë me çka janë të obliguar dhe e bëjnë atë që njëherë u është ndaluar – do të llogariteshin se kanë braktisur fenë e Zotit. Pra, të tillët do të numëroheshin kafirë. Në rast se do të ndodhte një gjë e tillë, atëherë midis tij dhe muslimanëve do të ndalohej lidhja martesore, trashëgimia, përcjellja e xhenazës, ngrënia e mishit që ata e prejnë etj. Ne jemi të vetëdijshëm se Zoti mu për shkak të imanit tonë që kemi, e ndaloi rreptësisht zgjatjen e dorës në pasurinë dhe në jetën e të tjerëve. Zoti i ngarkoi besimtarët me farze vetëm atëherë kur ata pranuan më parë parimet e fesë. Kështu tani Zoti xh.sh. do ta porositë Muhamedin a.s. në këtë mënyrë:
قُل لِّعِبَادِيَ الَّذِينَ آمَنُواْ يُقِيمُواْ الصَّلاَةَ
“Robërve të Mi, të cilët besuan, thuaju: të falin rregullisht namazin[22]
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُتِبَ عَلَيْكُمُ الْقِصَاصُ فِي الْقَتْلَى
“O ju që besuat, u është bërë obligim gjurmimi për dënim për mbytje”[23],
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْرًا كَثِيرًا
“O ju që besuat, përkujtojeni Allahun sa më shpesh” [24]. Siç shihet qartë edhe nga këto ajete, po të ishin këto obligime (farze) vetë imani, Zoti nuk do t’i kishte quajtur njerëzit besimtarë para se ata t’i kryenin këto obligime. Pra, duhet bërë dallim mes imanit dhe punës. Zoti xh.sh. thotë në Kur’an:
إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ
“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira”[25]; pastaj:
بَلَى مَنْ أَسْلَمَ وَجْهَهُ لِلّهِ وَهُوَ مُحْسِنٌ
“Jo, por ai që i është dorëzuar Allahut dhe bën vepra të mira” [26],
وَ مَنُ أَرَادَ ألاخِرَةَ وَ سَعَي لَهَا سَعْيَهَا وَ هُوَ مُؤْمِنٌَ
“ Kush e dëshiron ahiretin dhe për të përpiqet” [27]. Kështu besimtarët janë besimtarë mu për shkak se besojnë në Zotin, e falin namazin, e japin zekatin, agjërojnë, kryejnë haxhin, e nuk bëjnë të kundërtën dhe ata kanë besuar në Zotin për shkak se e kanë falur namazin, kanë agjëruar dhe e kanë kryer farzin e haxhit. Ata vetëm pasi të kenë besuar, thirren t’i kryejnë këto ebligime e nuk thirren në besim pasi t’i kenë kryer këto farze
[28].
Qëndrimin e Ebu Hanifës e mbështesin figurat më të njohura të Ehlu Sunnetit:
Ebu Mensur El Maturidiu thotë: ’Esh-Shafiu (Zoti e mëshiroftë) thotë: Besimi përbëhet prej shprehjes së përkatësisë, bindjes me zemër, dhe veprave të mira në bazë të fjalëve të të Madhëruarit:
وَمَا كَانَ اللّهُ لِيُضِيعَ إِيمَانَكُمْ
- “ E All-llahu nuk do të lejojë të zhduket besimi juaj”[29]. Në ajet me shprehjen “إِيمَانَكُمْ - imanekum” mendohet në lutjet tuaja. Ne konsiderojmë se qëndrimi i Shafiut është gabim në bazë të ajeteve:
وَمَن يُؤْمِن بِاللَّهِ وَيَعْمَلْ صَالِحًا
”…atyre që i kanë besuar Allahut dhe kanë bërë vepra të mira”[30], në të cilin mbështetim qëndrimin tonë, sepse është quajtur besimtar pa vepra ngase lidhësa “ve” është e lidhur për fjalën tjetër (el matufu alejhi). Qëllimi i këtij ajeti është të tregojë në besimin e sinqert. Sikur veprat të jenë pjesë përbërëse të imanit, atëherë kjo do të tregonte në derogimin e ajetit të përmendur”.
[31]
Imam Umer En-Nesefiu thotë:”Iman (besim) është besimi i sigurtë në atë që i është komunikuar Lajmëtarit të fesë, alejhi’s-selam, besimi se ky (komunikim) është nga Allahu i Madhëruar dhe kjo bindje të dëshmohet me deklaratë. Sa i përket veprave ato rrjedhin nga kjo bindje dhe e shprehin atë… kur njeriu të besojë sinqerisht dhe ta deklarojë këtë, është korrekt të thotë: Unë jam besimtar i vertetë”
[32]
Imam Tahaviu thotë: Imani është të deklaruarit me gjuhë dhe të besuarit me zemër. Ndërsa e gjitha ajo që është vërtetuar nga Resulullahi s.a.v.s. nga rrafshi i sheriatit (i veprave) dhe sqarime të tjera janë të vërteta (për t’u zbatuar)
[33]
Andaj, në bazë të qëndrimit të Ebu Hanifes dhe të tjerëve prej sun-nitëve, d.m.th. që vepra është tjetër nga imani, konstatohet qartazi se mëkati çfarëdo qoftë ai, përveç kufrit (pabesimit) dhe shirkut (politeizmit), nuk e nxjerr bartësin prej besimit.
-VIJON-
Vendos ne Facebook